Në një pjesë të globit u regjistruan temperatura rekord të të nxehtit, derisa pjesa tjetër përballej me përmbytje për shkak të motit ekstrem me shi e stuhi.
Spanja, Greqia e Italia në fillim të korrikut u përballën edhe me zjarre të shumta që u përhapën tutje për shkak të motit të nxehtë. Ditë më vonë një pjesë e Italisë u përfshi nga stuhi, duke lënë edhe viktima.
Masat e mëdha të ujit janë pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve klimatike, konkretisht, problemi qëndron në temperaturën (shumë) të lartë në Mesdhe.
“Deti Adriatik është rreth 2 gradë më i ngrohtë se normalja. Për shkak të kushteve aktuale të motit, avullohet më shumë ujë, që do të thotë se në ajër ka më shumë lagështi e cila transportohet në Alpe. Rezultati: Më shumë reshje, siç mund të vërehet edhe në përmbytjet e shpejta në Slloveni”, shpjegon meteorologu i ORF Daniel Schrott në Twitter, përcjell albinfo.ch.