Klubet shqiptare kanë një histori jo më shumë se 30 vjeçare të futbollit aktiv në Zvicër. Në të kaluarën ato janë ballafaquar me probleme të mëdha disiplinore. Shumë ndeshje i kanë humbur forfait dhe po ashtu nuk kanë munguar rastet kur janë përjashtuar nga liga për shkak të dhunës fizike në fushë.
Nga hulumtimet e bëra, kemi veçuar dy probleme më mprehta që sfidojnë seriozisht suksesin e klubeve shqiptare: mjetet e vogla buxhetore dhe mungesën e disiplinës në fushë ndaj vendimeve të arbitrit.
Të gjitha problemet disiplinore në futbollin zviceran futen në paketën Fair-Play, e cila aktualizohet për çdo vit përmes një statistike të Federatës së Futbollit Zviceran dhe nga më shumë se 900 klubet amatore, vetëm FC Prishtina Bern figuron në mesin e 100 klubeve më të disiplinuara zvicerane, duke qenë e 45-ta në renditje. Mirëpo kjo statistikë ndryshon kur bëhet fjalë për ekipe brenda të njëjtit klub. FC Diaspora, në këtë rast, ka marrë vitin e kaluar çmimin Fairplay, si ekipi më i disiplinuar në kantonin Jura.
Pavarësisht statistikave, futbolli i ekipeve shqiptare ka ndryshuar për të mirë – të rinjtë e gjeneratës së dytë luajnë qetë e pa zhurmë të madhe. Kjo për shkakun se shumë klube kanë marrë masa rigoroze ndëshkimore për futbollistët që nuk respektojnë vendimet e arbitrit, sepse për ekipet me pikë të barabarta, llogaritët numri i kartonave dhe jo më golaverazhi.
Klubet shqiptare janë të organizuara po ashtu edhe përmes Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër, i jetësuar në fund të vitit 2014 me emblemen që mban mbishkrimin UKSHFZ. Unioni ka organizuar deri më tani dy herë turnirin «Kupa e Unionit». Aktivitete tjera dhe sidomos një afrim me Federatën e Shqipërisë apo Kosovës, ku do të mund të organizoheshin stërvitje për zbulimin e talentëve të rinj, nuk vërehen. Siç nuk vërehet ndonjë mbeshtetje konkrete apo një lloj sponzorizimi për klubet shqiptare të juniorëve nga futbollistët profesionistë me prejardhje shqiptare që luajnë për Zvicrën e në shumë top-klube evropiane. Sa për ilsutrim, lojtari i Barcelones, Ivan Rakitiç, sponzorizon (e ka si Patenschaft) një ekip të juniorëve kroatë në Zvicër.