Futbollisti shqiptar, Brajan Gruda, duket se ka përfituar maksimalisht nga shansi që i ka dhënë Julian Nagelsman për të treguar veten në radhët e Gjermanisë para Euro 2024.
Gruda, ishte ftuar si lojtar ekstra bashkë me Roko Raitz për të plotësuar numrin deri fundjavën që u mbyll, duke llogaritur mungesat e disa futbollistëve të Gjermanisë të cilët janë pjesë të skuadrave finaliste të Ligës së Kampioneve.
Por futbollisti shqiptar e ka kaluar plotësisht testin e tij dhe këtë e bëri të qartë Nagelsman.
Ai ka vendosur të mbajë të dy lojtarët deri me datën 7 qershor, ditën kur do të dorëzojë listën përfundimtare në UEFA, transmeton albinfo.ch.
“Gruda është një lojtar mjaft i mirë, shumë kreativ në treçerekun e fushës dhe ka një të majtë shumë të mirë”, ishin fjalët e trajnerit të Gjermanisë për futbollistin shqiptar.
“Ekziston një shans, nuk i dihet kurrë çfarë do të ndodhë. Fakti që ata u grumbulluan, është një shenjë e vogël”, tha Nagelsman para gazetarëve.