Vetëm telefonat e tyre mobilë, por jo edhe pajisjet më të mëdha elektronike, të tilla si laptopë, tableta apo kamera, janë të lejuara për pasagjerë që udhëtojnë nga Lindja e Mesme në Shtetet e Bashkuara ose në Britaninë e Madhe në të ardhmen. Ky rregull i ri është miratuar nga qeveria e SHBA-së dhe Londra, përcjell albinfo.ch.
Në Zvicër lajmi ka shkaktuar shqetësim. “Për të vlerësuar situatën, FOCA është në kontakt të ngushtë me autoritetet përkatëse federale dhe partnerët ndërkombëtarë”, thotë zëdhënësja e FOCA, Nicole Raz.
Aktualisht fluturimet e linjave ajrore zvicerane nuk janë prekur nga masat e reja të sigurisë. Kjo është konfirmuar për “20 min” nga aeroporti i Cyrihut. “Aktualisht nuk ka shtrëngim të planifikuar”, thotë zëdhënësi Philipp Bircher. Përveç kësaj, pajisjet në fjalë tashmë kontollohen në mënyrë të veçantë gjatë kontrolleve të sigurisë.