“Sipas testeve të depistimit të realizuara mbi grupe të ndryshme të popullsisë, numri real i personave të infektuar është rreth 2% e popullsisë totale të qytetit”, shkruan kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergueï Sobianine, në blogun e tij.
Rusia ka deklaruar deri tani më shumë se 114 000 raste me koronavirusin e ri, 57 300 prej të cilëve në Moskë, epiqendra e përhapjes.
Sobianine deklaroi se Moska kishte rritur në mënyrë domethënëse kapacitetin e testimit të banorëve të saj këto javët e fundit, duke shtuar se qyteti kishte arritur të parandalonte përhapjen e epidemisë në sajë të rregullave shtrënguese të kufizimit dhe masave të tjera.
Ai përsëriti se Moska nuk e kishte arritur ende pikun e epidemisë.
Me 1 169 të vdekur të deklaruar, niveli i numrit të viktimave duket më i ulët në raport me vendet e tjera si Italia, Spanja apo SHBA-ja.