Infektologët dhe mikrobiologët, megjithatë tërheqin vërejtjen se koronavirusi i ri është më i ashpër nga virusët sezonalë, pikërisht për shkak të përhapjes së shpejtë që ka.
Një tjetër karakteristikë që po e dallon virusin e ri nga virusët tjerë sezonalë, është mungesa e ilaçit të aprovuar për ta trajtuar.
Infektologu Sali Ahmeti, tha për Radion Evropa e Lirë se aftësia e COVID-19 për t’u përhapur në mesin e personave të kontaktit po e bën shumë të vështirë gjithë situatën, për dallim nga virusi sezonal, përcjellë albinfo.ch.
‘’Këto dy viruse në aspektin klinik kanë ngjashmëri, por edhe dallime. Në aspektin klinik, kanë ngjashmëri, sepse i prekin kanalet respiratorë, duke sulmuar mushkëritë. Ka raste kur edhe gripi sezonal i dërgon pacientët në oksigjeno-terapi apo ventilim mekanik. Mosha që koronavirusi i ri prek më së shumti janë personat mbi 50 vjeç’’, tha Ahmeti, duke shtuar se virusi sezonal nuk njeh moshë.