Në vend të kostumit standard, të mërkurën disa parlamentarë nga SVP/UDC kishin ardhur në ndërtesën e Parlamentit të Kantonit të Valisit me këmishat tradicionale «Edelweiss».
Siç shkruan portali i i radios rro.ch nga ky kanton, këmisha e përmendur, që është pjesë e traditës zvicerane, bartet me krenari aty këtu edhe jashtë festave të sportit të mundjes (Schwingerfest), të cilat i karakterizon ajo.
Kështu ka qenë deri para pak ditësh, kur vendimi i dhjetë nxënësve në kantonin e Cyrihut për të bartur këtë këmishë në shkollë dhe ndalimi nga mësuesja, u bë temë e një debati të nxehtë politik në gjithë Zvicrën (për të cilin ka shkruar edhe albinfo.ch) .
Vetëm një ditë pas publikimit të lajmit në shtypin e të dielës, debati mbi këmishat «Edelweis» kishte përfshirë edhe Palamentin e Kantonit të Cyrihut. 20 politikanë kishin defiluar të hënën në parlament, të veshur me këmishat e përmendura, duke iu bashkuar aksionit të të rinjve të SVP-së «Zeig au du Edelwiis» (Tregoje edhe ti Edelweiss-in).
Duke ndjekur këtë trend, edhe një numër deputetësh të Valisit kanë bërë të njëjtën gjë të mërkurën.