Kikboksieri kosovar nga Bazeli, Hysni Beqiri, ngjitet në ligën më të fortë të kik boksit në botë, pasi gjatë fundjavës në Rumani festoi fitoren në K.O. që në rundin e parë.
Kik boksieri vitias, Hysni Beqiri, të premten e kaluar ka shënuar fitore në kikboks. Në qytetin rumun Sibiu, në finalen e Grand Prix, Hysniu e rrëzoi në dysheme top boksierin jugafrikan Warren Stevelmans. Djaloshi i cili jeton në Bazel, por që mbron ngjyrat e Kosovës, fitoi me K.O. që në rundin e parë, shkruan 20 min, përcjell albinfo.ch.
Stevelmans, i cili kishte boksuar edhe me legjendën e kikboksit Dzhbar Askerov, nuk kishte asnjë shans kundër Beqirit. 26-vjeçari është duke u ngjitur në ligën e më të mëdhenjve të kikboksit. Ai është duke shkuar pas hapave të vëllait të tij, Shemsiut, i cili ka fituar 11 herë titullin e botës dhe aktualisht gjendet i pesti në rang listën botërore.
Titullin e fituar në Rumani Hysniu ia dedikoi vëllait të tij, Ilirit, i cili po ashtu ishte kikboksier i suksesshëm, por për shkak të një sëmundje të rëndë muaj më parë ndërroi jetë. Për këtë nderim ai mori duartrokitje edhe nga publiku.

