Në vitin e parë të pandemisë së koronëavirusit, në vitin 2020, në Zvicër kanë vdekur 9305 persona nga sëmundja infektive Covid-19, transmeton albinfo.ch. 95.7 për qind e tyre vuanin nga të paktën një sëmundje shoqëruese, e cila nuk ishte shkaku i vdekjes.
Këtë e tregon Zyra Federale e Statistikave (BFS) në tabelat e saj të publikuara në kuadrin e statistikave të përkohshme për shkaqet e vdekjeve për vitin 2020, shkruan srf.ch.
Komorbiditeti (sëmundja shoqëruese) kryesor, jo-shkaktues i vdekjes në vdekjet nga koronavirusi ishte një sëmundje kardiovaskulare me 68.5 për qind, mbi të gjitha sëmundjet e zemrës dhe pneumonia.
Ka një ndryshim prej gati një të tretës në të dhënat e BFS krahasuar me numrin e viktimave të publikuar më parë nga Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG). Kjo, për faktin se BAG tregon për “vetëm” 6907 vdekje. Mospërputhja është bërë për shkak të bazës së të dhënave të ndryshme.
BAG mbështetet në sistemin e raportimit të përdorur në praktikën mjekësore dhe publikon të dhënat e veta nën presionin e kohës, transmeton albinfo.ch. Statistikat e vdekjeve të BFS-së bazohen në informacionin e zyrave të gjendjes civile, tek të cilat mjekët me certifikatën e vdekjes raportojnë shkakun kryesor të vdekjes dhe sëmundjet shoqëruese.