Dy sulmet terroriste të bëra dje në Norvegji kanë marrë jetën e së paku 98 personave. Policia thotë se 85 njerëz janë vrarë kur një person i armatosur hapi zjarr në një kamp të të rinjve, i lidhur me Partinë Laburiste në pushtet, në ishullin Utoja.
Shefi i policisë Ojstein Meland tha se sulmet kanë arritur “dimensione katastrofike”, raportojnë mediat.
Shtatë njerëz janë vrarë po ashtu nga një shpërthim i madh që goditi ndërtesat e qeverisë në Osllo. Policia dyshon se shpërthimi u shkaktua nga një makinë bombë.
Zyrat e kryeministrit, Jens Stoltenberg janë dëmtuar, por kryeministri nuk ka qenë i pranishëm gjatë kohës së shpërthimit.
Një norvegjez 32 vjeçar është arrestuar në lidhje me të dy sulmet. Televizioni i Norvegjisë, TV2 tha se personi ka lidhje me ekstremistët e krahut të djathtë.
Stoltenberg e dënoi ato që i quajti “sulme qyqare” dhe u zotua se ato nuk do ta shkatërrojnë Norvegjinë.