Për herë të parë në 68 vjet histori të festivalit italian “Zecchino d’Oro”, fituese shpallet një vajzë me origjinë shqiptare, Emma Dakoli, 9 vjeçe, nga një familje me rrënjë në Durrës dhe banore në Monza, transmeton albinfo.ch.
Ajo triumfoi me këngën “Ci pensa il vento”, duke mahnitur jurinë dhe publikun me interpretimin e saj të pastër.
Kënga është e autorëve Francesco Marruncheddu dhe Lodovico Saccol, ndërsa në skenën e Antonianos në Bolonjë, Emma u shoqërua nga Piccolo Coro dell’Antoniano.
Finalja, e drejtuar nga Carlo Conti në Rai Uno, solli atmosferën e gëzueshme të festivalit, me pjesëmarrjen e jurisë dhe personazheve të dashur të fëmijëve.
Fitorja e Emmës është më shumë se një trofe: ajo simbolizon integrimin dhe talentin e fëmijëve shqiptarë në Itali. Me zërin e saj të ëmbël dhe ëndrrat e mëdha, Emma Dakoli përfaqëson brezin e ri të diasporës që po shënon sukses në skenën kulturore italiane. /Albinfo.ch
