Gazeta gjermane “General Anzeiger” dhe media të tjera gjermane i kanë kushtuar hapësirë të madhe koncertit që violinistja shqiptare-gjermane Ervis Gega me filarmoninë “e saj” klasike të Bonit ka dhënë fundjavën që shkoi në Kurtheater të qytetit Bad Neuenahr. Sezonin me muzikë klasike të Vjenës e kanë ndjekur gjithsej 4000 spektatorë, transmeton albinfo.ch. Gega është prej më shumë se dhjetë vitesh koncertmaestro e kësaj orkestre dhe veç tjerash edhe profesoreshë në Shkollën e Lartë të Muzikës në Mainz.
Me aq zhdërvjelltësi vepronte me orkestrën “e saj” dhe aq ndjeshëm vazhdonte me telat e violinës që dridhen butësisht, e magjepsur pas instrumentit të saj me tonin sensual dhe të butë…
Për aplaudimin që ka zgjatur me minuta të tërë pa pushuar, i cili solisten e ka kthyer tre herë rresht në skenë, publiku ka marrë si shpërblim nga Gega një Adagio shumë intime nga Solosonata e parë e Jochan Sebastian Bach-ut.
Rreth 700 spektatorë në Bad Neunahr të entuziazmuar në kulm kanë dhuruar duartrokitje të gjatë për krijimin dhe për interpretuesit, në veçanti për violinisten Ervis Gega.
Profesoresha në Fakultetin e Muzikës në Mainz, e cila me familje e saj kishte ardhur si e re në Gjermani, ka dëshmuar përse nga një magazinë profesionale është vlerësuar si “Talent me vlerë të rrallë” dhe përse publiku në Bad Neunahr e kjishte brohoritur edhe në koncertet e mëparshme në këtë qytet.
Me lëvizjet e para të harkut dhe me vibraton e butë e pastaj me tonet me ngjitje emocionale Gega e ka robëruar shumë shpejt publikun, përcjell albinfo.ch gazetat gjermane. Nga “Allegro Moderato” deri në “Allegro energico” ajo ka bindur publikun për zotërimin e instrumentit të saj.
Si interpretim shtesë, “dhuratë” nga ajo për publikun, Ervis Gega ka luajtur Solosonatën e parë të Bach-ut, të interpretuar pra vetëm me violinë, shkruan veç tjerash blickaktuell.de.