Shtatë valltare dhe dy instrumentistë, të gjithë nga Shqipëria janë zënë në një klub në Lenzburg të kantonit Aargau ku punonin dhe qëndronin ilegalisht .
Policia e kantonit ka kontrolluar klubin natën e të hënës pasi kishte marrë thirrje urgjente. Meqë derën e kishin gjetur të mbyllur, policët ishin detyruar ta thyenin atë. Në lokal ata kanë gjetur mbi dhjetë persona, kryesisht femra të reja. Policia ka kontrolluar lokalin dhe i ka ndaluar të gjithë të pranishmit për t`i marrë në pyetje dhe verifikuar.
Shqiptaret e gjetura në lokal po punonin si valltare dhe detyrë e tyre ishte t`i animonin mysafirët për të konsumuar alkool, është konstatuar pas hetimeve. Shtatë prej tyre nuk kanë leje pune dhe ndodhen me qëndrim ilegal në Zvicër.
Policia kantonale i ka denoncuar me këtë rast në Prokurorinë e Përgjithshme të Lenzburgut shtatë femrat në fjalë dhe dy meshkuj instrumentistë që ndodheshin në lokal. Të gjithë të përmendurit do të dëbohen nga Zvicra dhe do t`u shiptohet masa e ndalesës kohore për të vizituar sërish këtë vend.
Janë denoncuar edhe pronari dhe menaxherja e klubit, një kosovar dhe një grua nga Letonia, të dy me qëndrim të rregullt në Zvicër. Policia ka shqiptuar masën e arrestit të përkohshëm për katër persona për qëllim hetimi. Ndërkaq, policia nuk ka mundur të sqarojë motivin e thirrjeve urgjente që kishin ardhur nga klubi. Personat që kishin telefonuar kishin bërë fjalë për probleme dhe për një grua të alivanosur. Mirëpo në vendin e ngjarjes nuk ishte gjetur asgjë e tillë, kështu që autoambulanca e alarmuar për këtë qëllim, u kthye e zbrazët. (albinfo.ch&sda)