Ambasada e Zvicrës në Shqipëri ka përgëzuar 60 studentë të Shkollës së Mesme Profesionale Hoteleri-Turizëm në Tiranë, të cilët kanë marrë me sukses Certifikatën e Nivelit Themelor (Foundation Level Certificate) nga institucioni prestigjioz zviceran Ecole Hôtelière de Lausanne (EHL), transmeton albinfo.ch.
Në njoftimin e saj, Ambasada shprehet krenare që ekselenca dhe prestigji i arsimit zviceran në hoteleri po sjellen edhe në Shqipëri, duke kontribuar në zhvillimin e arsimit profesional dhe përgatitjen e të rinjve me aftësi cilësore për tregun e punës.
Ky bashkëpunim, sipas Ambasadës, është pjesë e Programit të Bashkëpunimit Zviceran 2026-2028, i cili ka për qëllim avancimin e arsimit profesional dhe ofrimin e aftësive të përshtatshme për sektorin e turizmit, një ndër fushat me potencial të madh zhvillimi në Shqipëri.
Ambasada e Zvicrës thekson se ky angazhim i përbashkët synon të përgatisë të rinjtë me standarde ndërkombëtare dhe të krijojë mundësi më të mira punësimi në industrinë e hotelerisë dhe turizmit./Albinfo.ch