58 për qind e energjisë elektrike që shfrytëzojnë zviceranët vjen nga burimet e ripërtërishme. Por, shumicën e madhe të kësaj energjie e përbën ajo që vjen nga hidrocentralet e mëdhenj ndërsa një sasi fare e vogël nxirret nga dielli, biomasa dhe hidrocentralet e vegjël.
Këtë bilanc e ka nxjerrë Zyra Federale për Energji (BFE) në një raport që u referohet të dhënave nga viti 2015, shkruan srf.ch.
Nga ana tjetër, 21 për qind e energjisë elektrike të përdorur në Zvicër vjen nga centralet bërthamore. Kjo sasi prodhohet 90 për qind në centralet zvicerane, transmeton albinfo.ch. Ndërsa afër 20 për qind e energjisë elektrike të shfrytëzuar gjatë vitit 2015 ka ardhur nga burime të paverifikuara.
Kjo, sipas BFE-së sqarohet me faktin se në tregun evropian ka një shtim të energjisë elektrike që vjen nga burimet fosile dhe ato nukleare por për të cilën nuk jepen informacione mbi burimin.