Parlamenti zviceran ka hedhur poshtë një propozim për një ligj federal që do t’i obligonte nxënësit në Zvicër që të shtrëngojnë duart me mësuesit e tyre. Propozimi kishte ardhur nga Partia Popullore (SVP), por që nuk kishte marrë votat e mjaftueshme, ka njoftuar agjencia e lajmeve “ATS”, shkruan ‘The local”.
Projektligji u paraqit si rezultat i zemërimit të vitit të kaluar, kur në një shkollë në Therwil, në kantonin e Basel-Land, dy djem myslimanë refuzuan t’i japin dorën mësueseve të tyre për arsye fetare, përcjell albinfo.ch.
Shkolla fillimisht e lejoi këtë, por shkaktoi shumë zhurmë në Zvicër, me njerëz që thoshin se refuzimi i djemve ishte një fyerje ndaj kulturës zvicerane, meqë shtrëngimi i dorës mes nxënësve dhe mësuesve të tyre është zakon në Zvicër. Kështu ishte shprehur edhe ministrja e drejtësisë, Simonetta Sommaruga.
Dy muaj më vonë autoritet arsimore në Basel-Land vendosën që të përjashtojnë dy djemtë, sepse interesi publik në lidhje me integrimin e të huajve dhe barazinë midis burrave e grave i tejkaloi lirinë e fesë të nxënësve.
Nxënësit në kanton tani janë të detyruar të shtrëngojnë duart, ose prindërit e tyre do të gjobiten deri në 5 mijë franga. Ky dënim vlen nëse një nxënës nuk i jep dorën mësueses, apo një nxënëse mësuesit, pra kur gjinia është e kundërt.
Kantonët e tjerë janë të lirë të vendosin temat e tyre rreth kësaj çështje, por parlamenti vendosi se kjo nuk ishte një çështje federale.