Një ndër vatrat më problematike për momentin është Rusia, ku këtë të martë u shënua rekord vdekjesh ditore.
174 persona humbën jetën në 24 orët e fundit, ndërsa rastet e reja të infektimit janë rreth 9 mijë, një nivel i lartë, por në rënie krahasuar me javën e kaluar, kur u shënua kulmi, shkruajnë mediat botërore e shqiptare, përcjell albinfo.ch.
Amerika Latine është po ashtu një tjetër vatër, ku shifrat e infektimeve dhe vdekjeve po rriten në mënyrë të frikshme.
Brazili ka nivelin më të lartë të vdekjeve ditore, 807 vetëm në 24 orët e fundit, ndërsa mbi 11.600 janë të infektuarit e rinj.
Si Brazili, ashtu edhe Rusia renditen në vendin e dytë dhe të tretë në shkallë globale për nga të prekurit me COVID- 19 pas Shteteve të Bashkuara.
Ndërsa Spanja dhe Italia, që kanë qenë deri më tani vatrat e mëdha të Europës, kanë jo më shumë se 500 infektime ditore, që përbën ndër nivelet më të ulëta që prej nisjes së pandemisë.