Qyteti i Lozanës është duke punuar në jetësimin e dy masave për të ringjallur ekonominë lokale, të dëmtuar nga bllokada për koronavirusin. Kështu ka deklaruar kryebashkiaku i Lozanës, Grégoire Junod (PS) në një intervistë të botuar të martën, në “24 Heures”.
Njëra nga masat në fjalë është shpërndarja e kuponëve për familjet më të varfra, transmeton albinfo.ch. Familjet në fjalë do të “marrin njëqind franga për t`i shpenzuar në qytet”, ka thënë Junod. Megjithatë, kriteret për zgjedhjen e përfituesve duhet të përcaktohen më vonë, është shprehur ai.
Masa tjetër e planifikuar është që të gjithë popullatës së Lozanës t’i jepet mundësia të blejë kuponët e njëjtë por me një zbritje prej 20 për qind, përcjell albinfo.ch. “Duke pasur 80 franga ju keni një vlerë blerjeje prej 100 frangash”, ka thënë kryetari i Bashkisë.
Ai ka shtuar se avantazhi i këtij veprimi është se krijon një efekt shumëfishimi: “Nëse qyteti injekton një milion franga në para publike, shanset janë që të gjenerihen pesë milion franga në blerjet që bëhen” ka theksuar ai.