Tridhjetë njerëz janë arrestuar, në një aksion të përbashkët në Ballkan për zënien e trafikantëve të drogës, kanë lajmëruar autoritetet policore.Policia boshnjake ka arrestuar 13 njerëz, ndërsa policia malazeze, 17 të tjerë, ka njoftuar policia e Banja Llukës nëpërmjet një komunikate.
Të dyshuarit mendohet se kanë lidhje me 27 persona të tjerë nga Bosnja, Mali i Zi dhe Kroacia, të cilët më herët ishin ndaluar në këto vende si anëtarë të dyshuar të grupit të njëjtë kriminal.
Dyshohet se grupi ka kontrabanduar marihuanë nga Shqipëria, nëpërmes Malit të Zi dhe Bosnjës, për ta shpërndarë në Kroaci.
Në gjashtë muajt e kaluar, policia ka konfiskuar më shumë se 350 kilogramë marihuanë, që ka pasur lidhje me rrjetin e kontrabandës, thuhet në komunikatë.
Ballkani konsiderohet si një zonë transite për trafikim të armëve dhe drogës, në drejtim të Evropës Perëndimore. (Albinfo.ch & Radio Evropa e Lirë)