Të enjten paradite në austostradën A8 në mes të Munihut dhe Shtutgartit në Gjermani, një kamion është ndeshur me një autobus të mbushur përplot me udhëtarë nga Kosova. Kështu njofton agjencia e lajmeve e Gjermanisë DPA.
Në ora 7:15 të mëngjesit, kamioni me tabela regjistrimi italiane dhe drejtues italian, është ndeshur me autobusin e udhëtarëve në rrugën mes të Munihut dhe Shtutgartit. Në të dy drejtimet autostrada për disa orë është mbyllur.
Siç raporton “Zëri”, nga ky aksident janë lënduar rreth 30 udhëtarë kurse katër prej tyre kanë pësuar lëndime më të rënda. Shumë prej udhëtarëve po trajtohen në vend të ngjarjes dhe në spitalin e qytetit të Augsburgut në Gjermani.
Bëhet e ditur po ashtu që fjala është për agjencionin e udhëtimeve “Vector” me seli në Kosovë dhe Gjermani.