Mediat në Shqipëri raportojnë se një pushues nga Kosova humbi jetën në plazhin e Velipojës, derisa dy pushues nga Maqedonia e Veriut u mbytën në plazhin e Spillesë, transmeton Albinfo.ch.
“TopChannel” bën të ditur se personi i mbytur sot në plazhin e Velipojës është shtetas i Kosovës.
“Rreth orës 11:15, në plazhin e Velipojës, shtetasi H. H. rreth 59 vjeç, dyshohet se është mbytur në det. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thotë raporti i policisë.
Po ashtu, policia ka njoftuar edhe për vdekjen e dy turistëve nga Maqedonia e Veriut që dyshohet se si pasojë e dallgëve janë mbytur në plazhin e Spillesë.
“Rreth orës 11:25, në plazhin e Spillesë, dy shtetas të gjinisë mashkullore ende të paidentifikuar, (dyshohet se janë shtetas maqedonas), rreth 70 vjeç, dyshohet se si pasojë e dallgëve janë mbytur në det. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e tyre dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim.