Në fund të vitit, rreth çdo i katërti person i rritur, në Zvicër, ndryshon sigurimin shëndetësor, transmeton albinfo.ch. Arsyeja kryesore e dhënë me këtë rast është shtrenjtimi i primeve të sigurimit shëndetësor.
61 për qind e atyre që kanë kaluar në kompani të re e kanë përshkruar rritjen e primit si një arsye të rëndësishme ose shumë të rëndësishme.
Sipas një sondazhi përfaqësues të bërë nga Comparis, rreth 27 përqind e njerëzve të anketuar janë duke ndërruar sigurimin e tyre bazë. Kjo është një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme.
Nga ndryshimet duhet të përfitojë veçanërisht kompania e sigurimeve shëndetësore KPT. Sipas deklaratave të veta, KPT pret rreth 40 për qind më shumë klientë se në vitin aktual.
Zviceranët e zonës frankofone janë veçanërisht të gatshëm të ndryshojnë kompaninë e sigurimit. Kështu, 31 për qind e të anketuarve kanë kaluar në një kompani tjetër sigurimesh shëndetësore për vitin 2023, përcjell albinfo.ch. Në Zvicrën gjermanishtfolëse, përqindja e ndërruesve është 25 për qind dhe në Ticino 18 për qind.
Primet për sigurimet shëndetësore bazë vitin e ardhshëm do të rriten mesatarisht me 6.6 për qind.