Në Zvicër për çdo vit zbulohen nga së paku 250 viktima të tregtisë me qenie njerëzore. Por, siç shkruan Departamenti për Drejtësi dhe (EJPD) në një komunikatë të lëshuar sot, “shifra e errët” duhet të jetë shumë më e madhe.
Në këtë tregti përfshihet detyrimi i grave, burrave dhe fëmijëve që të merren me prostitucion, me kërkim lëmoshe ose edhe për të punuar si fuqi e lirë punëtore, me paga minimale. Kjo e fundit shprehet më shpesh në ndërtimtari, në hoteleri por edhe në përkujdesje private dhe në bujqësi.
Me rastin e Ditës Evropiane kundër Tregtisë me Qenie Njerëzore, sot, më 18 tetor, EJPD e ka nisur një autobus informativ për të bërë një turne njëvejeçare në gjithë Zvicrën.
Viktimave të tregtisë me qenie njerëzore shpesh nuk u shihet dhembja në pamje të parë. “Një fytyrë jo gjithmonë të zbulon se nëpër çfarë vuajtjesh ka kaluar një njeri. Mbrapa saj fshihet ndoshta një grua e shfrytëzuar seksualisht e cila është e detyruar të durojë dhunën ose një burrë të cilit i është premtuar punë me pagesë normale dhe i cili pastaj detyrohet të punojë me pagesë robi”, shkruan në komunikatën e EJPD-së.
Në autobusin informativ, vizitorët i presin raportime nga përjetimet e viktimave, fotografi, numra dhe sqarime lidhur me temën.
Krahas aksionit në nivel qendror, me autobus, sot, e mërkurë, kanë filluar edhe javët zvicerane të aksionit kundër tregtisë me njerëz, të cilat vazhdojnë deri më 3 nëntor. Gjatë kësaj kohe do të ketë aktivitete në një numër kantonesh, ku do të shfaqen filma dokumentarë ose do të hapen ekspozita.
Autobusi informativ është lansuar nga Byroja Zvicerane e Organizatës Ndërkombëtare për Migracion (IOM) dhe Fondacioni “Fondation neuchâteloise pour la coordination de l‘action sociale (FAS)”. Këto të dyja mbështeten edhe nga Zyra Federale e Policisë (Fedpol), Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM) dhe Ministria e Punëve të Jashtme (EDA).