«Verdingkinder», është emërtimi për një kategori fëmijësh të trajtuar keq, e njohur në praktikën zvicerane deri në vitet `60 të shekullit të kaluar. Bëhet fjalë për fëmijë dhe të rinj pa prindër apo që u janë marrë prindërve të gjykuar si të papërgjegjshëm dhe u janë dhënë në dorëzim familjeve kryesisht bujqësore. Këto të fundit në shumë raste i kanë (keq)përdorur ata në punët e rënda ose i kanë keqtrajtuar në mënra të ndryshme.
Pas një lufte disavjeçare të «verdingkinder»-ëve ose të pasardhësve të tyre, Qeveria e Zvicrës vitin e kaluar pati marrë vendim për t`i zhdëmtuar ata për keqtrajtimin e pësuar. Për të gjithë ata ishin caktuar 300 milionë franga dhe është vendosur që për person të ndahen maksimalisht 25000 franga. Kështu ka vendosur Komisioni Financiar i Dhomës Nacionale të Parlamentit të Zvicrës. Ai, me 15 vota pro dhe 8 kundër i ka rekomanduar Komisionit juridik që kjo shumë të jetë maksimalja që mund të jepet për zhdëmtim, njofton shërbimi për medie i parlamentit.
Llogaritet se sot jetojnë ne mes 12.000 dhe 15.000 persona që mund të kenë pretendime për kompensim si ish «verdingkinder».
Ata kishin kërkuar që shuma e cila do t`u ndahej si kompensim të jetë 500 milionë franga.