Pavarësisht pandemisë që bllokoi kufijtë dhe kufizoi lëvizjet në gjithë botën, një numër i madh kërkesash për azil janë bërë në Shqipëri. Instituti i Statistikave raporton se gjatë vitit 2020, rezultojnë 2232 azilkërkues.
Kundrejt vitit 2019 është shënuar një rënie prej 66%. Duke parë kërkesat për azil sipas muajve, piku i aplikimeve shënohet në tremujorin e parë, të cilët përbëjnë 97,7% të azilkërkuesve gjithsej. Kjo është edhe periudha kur vendi nuk ishte futur ende në karantinë si pasojë e COVID-19, raporton A2 Cnn, transmeton Albinfo.ch.
Në muajt pasues kërkesat për azil kanë qenë shumë të ulëta. Të dhënat e detajuara të Institutit të Statistikave tregojnë se pjesa dërrmuese e atyre që kërkojnë azil në Shqipëri janë me origjinë nga Siria dhe Iraku, të cilët zënë edhe 54,4% të totalit të azilkërkuesve.
Ndërkohë që kërkesa të larta ka edhe nga Afganistani dhe Maroku.
Po të analizosh të dhënat sipas gjinisë, vihet re se pjesa dërrmuese, ose 75,6% e kërkesave për azil janë meshkujt, ndërkohë që vetëm 501 aplikime janë femra.
Azilkërkuesit integrohen në tregun e punës me vështirësi dhe kryesisht punësohen në sektorin informal, ose e thënë ndryshe, në të zezë, dhe në punë që refuzohen nga shqiptarët.