Viti 2022 ka regjistruar një “bom” përsa i përket hyrjes të shtetasve të huajve në Shqipëri me qëllim kryesor turizmin, duke tejkaluar të dhënat e 2019-ës, i cili konsiderohet edhe si viti me numrin më të madhe të turistëve që kanë hyrë në vendin tonë, përcjell albinfo.ch.
Në 9 muajt e parë të këtij viti në Shqipëri kanë hyrë mbi 6.4 milionë shtetas të huaj. Të dhënat e INSTAT tregojnë një rritje me 32 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur në Shqipëri hynë 4.9 milionë shtetas të huaj.
Shumica e të huajve, 95 % e tyre kanë hyrë për turizëm në Shqipëri.
Vetëm në shtator kanë hyrë 762 mijë shtetas të huaj. Ndërkohë që edhe në tetor bregdeti shqiptar vijon të thithë pushues të shumtë, e favorizuar edhe nga moti i ngrohtë.
Gjatë 9-mujorit 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 4 herë dhe Anglia me 2 herë, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 11,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Pas turizmit bregdetar, edhe turizmi mjekësor ka pësuar rritje në Shqipëri gjatë këtij viti.