Trendi i regjistrimit dhe shuarjeve të bizneseve në Kosovë ka vazhduar edhe gjatë vitit 2019 me ritëm të njëjtë, ndërsa numri i bizneseve të shuara për një vit po konsiderohet të jetë shqetësues për ekonominë e vendit.
Drejtori i Drejtorisë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), Mehdi Pllashniku, thotë se në vitin që lamë pas janë shuar 1 mijë e 774 biznese, prej tyre 11 kompani të huaja.
Pllashniku thotë se vetëm në muajin janar të këtij viti, 518 biznese janë regjistruar, ndërsa janë mbyllur 71 sosh.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës(OAK), Berat Rukiqi, shprehet se në vendet e tjera edhe mund të jetë shkallë më e ulët e bizneseve të shuara, mirëpo procedurat e falimentimit dhe mbylljes janë shumë më të rënda dhe kjo i dekurajon shumë bizneset që të hyjnë në këto proceduara, përderisa në Kosovë nuk ka fare burokraci për mbylljen e bizneseve.
Rukiqi thotë se bizneset për shkak të obligimeve, edhe për shkak të procedurave të caktuara marrin vendim për mbylljen e bizneseve.
Edhe eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, thotë se si rezultat i performancës së dobët ekonomike të bizneseve në vend, është rritur në vazhdimësi numri i kompanive të shuara.
Përveç kësaj, Kadriaj thotë për shkak të vështirësive në qasje financiare dhe normat e lata të kredive, shumica e bizneseve janë të detyruara të dështojnë.
Sipas të dhënave të ARBK-së, në vitin 2018 ishin regjistruar 9 mijë e 967 biznese, ndërsa janë mbyllur 1 mijë e 890, shkruan KP, përcjell albinfo.ch.