Një serb 55 vjeçar që jeton në kantonin e Bernës është dënuar nga një gjykatë qarku me 20 vite burg për vrasjen e një infermiereje. Vrasja ka ndodhur në tetor të vitit 2013, kur ai kishte therur disa herë me thikë zviceranen 38 vjeçare, duke i shkaktuar vdekjen në vendin e ngjarjes.
Serbi ishte për një kohë të gjatë si invalid dhe ecte me paterica. Mirëpo infermierja në fjalë e kishte parë se ai ishte duke simuluar invaliditetin (duke bartur diçka dhe duke ecur pa paterica) dhe e kishte denoncuar, transmeton albinfo.ch mediat zvicerane. Kështu ai pasi e ka kuptuar këtë, ka shkuar në banesën e saj dhe e ka vrarë gjakftohtësisht në shenjë hakmarrjeje.
Si pasojë e dëshmisë së infermieres, ishte bërë një ekspertizë e cila kishte konstatuar se serbi ishte duke aktruar rolin e invalidit. Ndërsa në gjykimin që pritej të bëhej, 38 vjeçarja duhej të dëshmonte kundër tij.
Gjatë gjykimit për vrasje, i akuzuari sërish ka bërë përpjekje të shumta për të aktruar njeriun e sëmurë mentalisht, për të shpëtuar kështu nga dënimi si i papërgjegjshëm penalisht, përcjell albinfo.ch. Ai në gjykatore ka qëndruar në karrocën e invalidit, nën të cilën është shtruar një masë plastike sepse i akuzuari nuk mund ta mbante urinën, gjegjësisht urinonte në ambiente publike, kanë shkruar mediat zvicerane duke raportuar nga gjykatorja.