Dy vjet pas aksidentit të rëndë që kishte ndodhur në Dietikon ZH, prokuroria publike ka ngritur padi kundër shoferit 22 vjeçar të BMW-së, me shtetësi kosovare, transmeton albinfo.ch.
Ai akuzohet për shkaktim të lëndimeve të shumta të rënda trupore, shkelje të rëndë të rregullave të komunikacionit dhe kundërvajtje të tjera, është shprehur prokuroria publike e regjionit Limmattal-Albis.
Prokurorja e lëndës thotë se kërkon dënim me katër vjet burg dhe 7 vjet dëbim nga vendi kundër shoferit të atëhershëm 20-vjeçar kosovar. Ai nuk ka pranuar veprën.
Zyra e prokurorit publik akuzon Ardian C. se, në fillim të tetorit të vitit 2019 kishte përshpejtuar ndjeshëm makinën, me “asistentin” e sigurisë të çaktivizuar më par, shkruan polizeiticker.ch.
Më pas ka shpërthyer pjesa e pasme e automjetit i cili pas kësaj ka rrëshqitur në mënyrë të pakontrolluar në të tri korsitë e rrugës.
Në fund BMW-ja ishte përplasur “kokë më kokë” me një makinë që po afrohej. Një nënë me vajzën e saj 4-vjeçare që ishin në atë makinë patën marrë lëndime me rrezik për jetën, transmeton albinfo.ch. Edhe sot – dy vjet pas aksidentit – nëna dhe vajza kanë robleme të konsiderueshme shëndetësore.
Krahas lëndimeve të shumta të rënda trupore dhe shkeljes së rëndë të cilësuar të rregullave të qarkullimit rrugor, prokuroria publike e akuzon 22 vjeçarin edhe për mosdhënie të ndihmës emergjente ndaj dy viktimave si dhe për shkelje të detyrës në rast aksidenti.
Menjëherë pas aksidentit, shkaktari i tij kishte thënë se nuk ishte e vërtetë se kishte vozitur shumë shpejt. Thjesht për të “nuk ishte e qartë” se si ishte aktivizuar vetvetiu lëvizja e rrotave të pasme. “Rruga kishte lagështi. Pastaj papritur ka shpërthyer pjesa e prapme e makinës.” Por, prokurorja publike e sheh ndryshe rrjedhën e ngjarjes.
Në lidhje me këtë aksident trafiku në tetor të vitit 2019, prokurori publik Limmattal/Albis ka inicuar procedurën edhe ndaj pasagjerit që kishte qenë i pranishëm në makinën e kosovarit, për mosdhënie të ndihmës emergjente.
Aktualisht bëhen përpjekje në nivel federal për të zbutur nenin për tejkalimin e shpejtësisë (Për deliktete e “raser”-ëve). Këshilli Federal ka miratuar kërkesën për ndryshimin e Ligjit të Trafikut Rrugor më 17 nëntor 2021.
Sipas ideve të Këshillit Federal, në të ardhmen duhet të hiqet burgimi minimal prej një viti për kundërvajtjet e shpejtësisë dhe kohëzgjatja minimale e heqjes së lejes së drejtimit të reduktohet nga 24 në 12 muaj, përcjell albinfo.ch. Përveç kësaj, gjobat duhet të jenë të mundshme në të ardhmen pa kaluar nëpër gjykatë.