Dy punonjës të një shkolle në Yverdons-les-Bains të Kantonit të Vaud-it, kanë rezultuar pozitivë pas testit të bërë për virusin e koronës.
Për këtë arsye, autoritetet e kantonit kanë vendosur të mbyllin shkollën me 800 nxënës një javë para pushimeve verore dhe t’i vendosin mësuesit në karantinë, shkruan agjencia e lajmeve Keystone-SDA.
Nxënësit nuk preken nga karantina, transmeton albinfo.ch. Tani, ata mund të shkojnë me pushime, ka thënë Julien Schekter, zëdhënës i Departamentit të Edukimit, në Kantonin Vaud.
Ndërkohë, është urdhëruar një karantinë dhjetëditore për 80 mësues nga 31 klasa të mesme dhe 9 fillore të shkollës në fjalë, përcjell albinfo.ch. Familjet e fëmijëve dhe stafi i shkollës janë njoftuar lidhur me rastin nga mbrëmja e të hënës deri në mëngjesin e të martës (sot).