Ky që po e shihni nuk është aeroplan ndonëse “fluturon” në tokë më shpejt se shumica e aeroplanëve. Ky është “automobili-raketë” që po e konstrukton australiani Rosco McGlashan dhe që do të ecë 1600 kilometra në orë, duke thyer çdo rekord të deritashëm shpejtësie.
Shoferi i pasionuar i shpejtësive ekstreme ka prezantuar sot në Sydney pjesë të makinës së tij të quajtur Aussie Invader 5R që do të ketë 200 000 kuaj fuqi.
Ai planifikon që me makinën e tij të arrijë shpejtësinë prej 1600 kilometrash në orë që është shpejtësi më e madhe se ajo e plumbit të pushkës.
Për të përmbyllur projektin, atij i duhet ende kohë. McGlashan planifikon që provën e parë ta bëjë në vitin 2014.
Rekordin e tashëm për automobilin më të shpejtë në botë e mban prej 15 vitesh britaniku Andy Green. Ai e ka arritur shpejtësinë prej 1228 kilometra në orë, që është pak më shumë se shpejtësia e zërit.