Rreth 160 predha që datojnë nga Lufta e Dytë Botërore janë zbuluar pranë urës së Vodiçës, në fshatin Vodiçë, pjesë e Njësisë Administrative Kotë, në Bashkinë Selenicë.
Zbulimi ndodhi gjatë punimeve të një firme private, e cila njoftoi menjëherë forcat xheniere për praninë e municioneve të rrezikshme, raporton euronews.al.
Ekspertët xhenioerë mbërritën në vendngjarje dhe gjatë dy ditëve realizuan operacionin e identifikimit dhe largimit të predhave. Gjatë ditës së parë u siguruan rreth 140 predha mortaje, ndërsa ditën e dytë u gjetën edhe 20 predha të tjera.
Në total, specialistët transportuan 160 predha në Tiranë, ku ato do të asgjësohen në mënyrë të kontrolluar. Ndërhyrja e shpejtë e forcave xheniere ka shmangur çdo rrezik për banorët dhe për punonjësit që po punonin në zonë.