OBSH-ja thotë se shumica e rasteve përgjegjëse për rritjen e numrit në të rasteve në provincën Hubei janë njoftuar më pas dhe nuk janë infeksione të reja.
“Pra kjo rritje që shikoni në 24 orët e fundit i detyrohet kryesisht ndryshimit në mënyrën se si diagnostikohen dhe njoftohen rastet”, thotë Michael Ryan i OBSH-së.
Ai thotë gjithashtu se ndryshimet gjithashtu u japin mundësi mjekëve që të njoftojnë dhe trajtojnë rastet më me shpejtësi.
Spitali Huoshenshan, i ndërtuar posaçërisht në Wuhan për koronavirusin, thotë se të enjten pati shtatë pacientët e parë të shëruar. Më e moshuara mes tyre ishte 66 vjeçe.
“Njerëzit këtu janë shumë të mirë. Infermieret më thërrasin ‘teta’. U kujdesën për mua fizikisht dhe mendërisht, prandaj u shërova shumë shpejt. Dua t’u them njerëzve në gjithë vendin: mos kini frikë, ne jemi shëruar dhe të gjithë duhet të keni besim se do ta fitoni luftën ndaj virusit”, thotë Lu, pacientja e shëruar.
Ndërkohë Japonia njoftoi për viktimën e parë nga virusi, disa orë pasi konfirmoi raste të tjera në anijen turistike “Diamond Princess”, në karantinë pranë Tokios, ndërsa frika e përhapjes së sëmundjes rritet në vend.
“Nuk kemi ende informacion të mjaftueshëm epidemiologjik për përhapjen e virusit në Japoni. Në ditën në vazhdim do të mbledhim informacion, do të konsultohemi me ekspertë dhe do të konsiderojmë masat e nevojshme”, tha ministri i Shëndetësisë, Katsunobu Kato.
Në Shtetet e Bashkuara, një pacient që ishte në karantinë në një bazë të Forcës Ajrore në Teksas, u diagnostikua zyrtarisht me sëmundjen. Ai ishte kthyer në Shtetet e Bashkuara me një avion të prenotuar nga Departamenti i Shtetit, javën e kaluar.
“Individi është vendosur në karantinë që kur arriti në bazën ajrore Lackland nga Wuhan i Kinës dhe individi mbetet në izolim në një spital lokal”, tha Ron Niremberg, Kryebashkiak i San Antonios në Teksas.
Kjo e sjell numrin e rasteve në 15 në Shtetet e Bashkuara, ku zyrtarët këmbëngulin se rreziku ndaj publikut mbetet i ulët, përcjell albinfo.ch.