Më shumë se 1100 hektarë pyje dhe kullota janë prekur nga zjarri në Shqipëri.
Sipas njoftimit të fundit nga Ministria e Mjedisit, prej tyre 236 hektarë janë djegur tërësisht.
Kjo ministri ka vlerësuar se pa llogaritur vatrat e ditëve të fundit, dëmi i shkaktuar është mbi 66 milionë lekë, raporton Top-Channel.
Sipas Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe pyjeve, bimësia më e prekur janë shkurret.
Autoritetet kanë nisur procedura penale ndaj 20 personave që janë arrestuar për zjarrëvënie të qëllimshme.
Shumica e zjarreve janë nga pakujdesia, ndihmuar nga kushtet klimatike gati ekstreme për vendin.
Një zjarr i fuqishëm ka renë pasditen e së premtes në fshatin Corrush të Mallakastrës. Si pasojë e flakëve janë djegur tre banesa, por fatmirësisht nuk ka patur njerëz të lënduar.
Zjarri ka përfshirë kodrat e këtij fshati dhe për pasojë janë djegur masive me ullinj, si dhe sipërfaqe me shkurre dhe ferra.