Pothuajse 1000 kundërshtarë të masave të Koronës janë mbledhur pasditen e sotme për të demonstrim në zonën e këmbësorëve në Schaffhausen. Fillimisht, policia i ka toleruar ata, ndonëse asnjë nga pjesëmarrësit nuk kishte vënë maskë, raporton srf.ch nga vendi i ngjarjes.
Policia e Schaffhausenit ishte në terren me një kontigjent të madh, por duke qëndruar në distancë, transmeton albinfo.ch.
Ndërkohë, demonstruesit kanë mbushur sheshin Fronwagplatz dhe zonën e këmbësorëve duke fishkëllyer dhe duke u rënë kumbonave të lopëve.
Disa prej tyre janë ngjitur në shatërvanin historik që ndodhet në këtë shesh. Ekstremistë të krahut të djathtë janë parë gjithashtu midis pjesëmarrësve.
Qyteti i Schaffhausenit fillimisht kishte dhënë lejen për demonstrim. Megjithatë, autoritetet të enjten e tërhoqën lejen sepse nuk mund të përjashtohej që në këtë tubim të kishte prishje të sigurisë dhe rendit publik.
Këshilli i qytetit gjithashtu kishte frikë se kriteret federale – veçanërisht detyrimi për maskë – nuk do të plotësoheshin, siç ishte rasti edhe me demonstratat në Altorf (UR) dhe Liestal (BL), në javët e kaluara.
Kundërshtarët e masave më pas u kanë bërë thirrje mediave sociale të udhëtonin në Schaffhausen pavarësisht tërheqjes së lejes.