Skip to content

1000 ushtarë zviceranë në manovra ushtarake pranë Vjenës

Në një zonë stërvitore ushtarake në Austri po zhvillohet një ushtrim ndërkombëtar. Ushtarët zviceranë po stërviten së bashku me kolegët e tyre nga Gjermania dhe Austria. Brigadieri Christoph Roduner ndodhet në poligonin ushtarak Allentsteig, në veriperëndim të Vjenës, një zonë që ka përmasa sa Principata e Lihtenshtajnit, transmeton albinfo.ch. “Kjo nuk ka lidhje me NATO-n. […]

Në një zonë stërvitore ushtarake në Austri po zhvillohet një ushtrim ndërkombëtar. Ushtarët zviceranë po stërviten së bashku me kolegët e tyre nga Gjermania dhe Austria.

Brigadieri Christoph Roduner ndodhet në poligonin ushtarak Allentsteig, në veriperëndim të Vjenës, një zonë që ka përmasa sa Principata e Lihtenshtajnit, transmeton albinfo.ch.

“Kjo nuk ka lidhje me NATO-n. Këtu po stërvisim gatishmërinë tonë operacionale,” tha Martin Pfister, Këshilltar Federal dhe shef i Departamentit të Mbrojtjes.

Roduner paraqet një hartë të madhe dhe shpjegon skenarin e ushtrimit të quajtur “Trias”: konflikte në Austri, sulme hibride ndaj Zvicrës dhe një avancim i armikut përmes Austrisë drejt luginës së Rinit, deri në Grabs.

Kompensimi i manovrave të humbura
Në rast lufte të vërtetë, një avancim i armikut në luginën e Rinit, drejt Liqenit të Konstancës ose në drejtim të Cyrihut, është një nga skenarët më të rrezikshëm. “Këtu mund të stërvitemi në kushte reale – këtë nuk mund ta bëjmë askund tjetër në Zvicër,” thotë brigadieri Roduner.

Pothuajse 1 000 ushtarë zviceranë nga Brigada e 11-të e Mekanizuar janë pjesë e ushtrimit në Austrinë e Poshtme. Edhe pse një konflikt i tillë duket i pamundur sot, nuk është aspak i përjashtuar. Prandaj, ushtarët po përpiqen të kompensojnë mungesën e përvojës që nga dekadat e fundit.

Pfister: Bashkëpunimi me fqinjët është i domosdoshëm
Gjatë vizitës së tij, ministri i ri zviceran i Mbrojtjes, Martin Pfister, theksoi: “Kjo nuk ka lidhje me NATO-n. Ne po stërvisim gatishmërinë tonë.” Megjithatë, ai e bëri të qartë se bashkëpunimi ushtarak me vendet fqinje është i domosdoshëm dhe duhet të praktikohet për të qenë gati në rast emergjence.

Ministrja austriake e Mbrojtjes, Katrin Tanner, e pranoi qetësisht faktin që Zvicra po praktikonte një skenar lufte ku Austria është e pushtuar. Ajo e quajti këtë një “ushtrim historik”, thelbësor për përgatitjen.

Për ushtrinë zvicerane, ushtrimi “Trias” përfaqëson një hap të parë drejt realitetit.