Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se Kosova dhe Serbia pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk do të pranohen në Bashkimin Evropian.
Në takimin e shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë në Kuvendin e Kosovës, eurodeputetja tha se derisa nuk ka një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të paqes, i tërë rajoni do të ketë ndikime të huaja për të prishur stabilitetin e BE-së.
“Pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pranimi në BE nuk do të ndodhë për dy vendet. BE-ja duhet t’i shërbejë Kosovës dhe Serbisë për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të paqes. I gjithë rajoni do të vazhdojë të jetë një tokë për ndikimet e huaja dhe për të prishur stabilitetin e BE-së, siç e kemi parë në Bosnjë”, tha ajo.
Duke u ndërlidhur me mungesën e liberalizimit të vizave për Kosovën, kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian, Romeo Franz, tha se Kosova e meriton dhe ka plotësuar të gjitha kriteret për heqjen e regjimit të vizave.
“E kuptoj shumë mirë se mund të ndiheni të lënë anash nga disa vende në BE, mirëpo në Parlamentin Evropian është një konsensus i gjerë se Kosova e meriton dhe ka nevojë për vëmendjen tonë të vazhdueshme. Kur kemi të bëjmë me liberalizimin e vizave, ne jemi aleat tuaj të palëkundur, ne nuk kemi t’ju bindim për këtë, ju e dini këtë. Disa vende akoma po hezitojnë për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën. Të jeni të bindur qartë për këtë se liberalizimi i vizave ka të bëjë me mbajtjen e premtimeve të BE-së, premtime këto që janë dhënë para tre vjetësh”, deklaroi ai.
Ndërsa, kryetarja e delegacionit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, tha se Kosova e konsideron të rëndësishëm integrimin evropian.
“Kosova e konsideron integrimin rajonal jo vetëm si hap të domosdoshëm drejt integrimit në strukturat ekonomike dhe të sigurisë euro-atlantike të Evropës, por edhe si mjet për stabilitet më të madh politik dhe ekonomikë në gjithë rajonin”, tha ajo.
Kurse,ish-kryeministri, tashmë deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë, por qëndrimet e fundit nga Serbia tregojnë se ajo nuk është çliruar nga e kaluara.
“Rajoni ka nevojë për zhvillim dhe qartësi për të ardhmen evropiane. Kjo mund të arrihet vetëm me normalizim të marrëdhënieve të plota fqinjësore. Kusht për këtë është njohja e realitetit nga të gjitha vendet, marrja e përgjegjësisë për të kaluarën dhe respektimi i të drejtave të secilit. Këtë kontekst dialogu Kosovë-Serbi është mekanizmi vetëm për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve…dialogu nuk ka alternativë, për këtë pajtohemi të gjithë, përveç Serbisë. Edhe pse ajo është angazhuar në dialog, qëndrimet e shprehura kohë pas kohe nga zyrtarë të saj tregojnë se ajo nuk është çliruara nga e kaluara”, theksoi ai./KP