A. E. (24) dhe K. G. (25), të arrestuar më 22 dhe 23 tetor, dyshohet se kanë marrë nga persona të tjerë kopje dokumentesh, të dhëna personale, duke u premtuar se do t’ua rregullojnë vizat e punës për BE dhe të njëjtit me të dhënat e tyre kanë aplikuar për kredi online, duke përfituar shuma të ndryshme të parave, shkruajnë mediat kosovare, përcjell albinfo.ch.
Mbështetur në rezultatet e para të hetimit është ngritur dyshimi i arsyeshëm se ky mashtrim ka ndodhur në vazhdimësi, për një periudhë të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar arrin mbi 20 qytetarë të ndryshëm.
Policia kërkon nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për ta mundësuar dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të këtyre personave.
Personat e arrestuar janë dërguar në qendrën rajonale të paraburgimit në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale, para se rasti të dërgohet në institucionet kompetente.