“I bashkohem përpjekjeve tuaja që samiti në maj në Zagreb të arrijë unitet dhe se është një sukses për Evropën. Franca ka propozuar një metodologji të re për procesin e zgjerimit, në mënyrë që të mos jetë thjesht një proces burokratik, por një rrugë politike, që mund të përshpejtohet dhe që përmban kushte e gjithashtu përfitime konkrete për vendet kandidate“, deklaroi Macron, i cili së bashku me kryeministrin Plenkoviç dhanë një deklaratë për shtyp para takimit në Elize.
“Do të doja të theksoja dëshirën e Francës që samiti në Zagreb të jetë i suksesshëm”, shtoi Macron.
Të dy liderët do të diskutojnë mbi kuadrin e negociatave për marrëdhëniet e ardhshme midis Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, negociatat për kornizën e re financiare shumëvjeçare, përgatitjet për konferencën për të ardhmen e Evropës dhe Samitin BE-Evropë Juglindore që do të mbahet në maj në Zagreb. Në këtë kontekst të dy zyrtarët do të diskutojnë për zgjerimin e mëtejshëm të Unionit.
Me marrjen e presidencës së radhës të Këshillit të BE-së më 1 janar, Kroacia dëshiron ta zhbllokojë ketë proces, sepse konsideron se nuk ka asnjë alternativë për perspektivat evropiane të vendeve të Evropës Juglindore, shkruan ATSH, përcjell albinfo.ch.
“Jam i kënaqur që presidenti Macron shprehu optimizëm në lidhje me suksesin e samitit të Zagrebit. Ky takim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne. Është në interesin tonë që shtetet të jenë të qëndrueshme dhe të zbatojnë reformat ekonomike dhe sociale”, deklaroi kryeministri Plenkovic.