Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e BE-së në Kosovë thuhet se tani i takon Kuvendit që t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm kushtetues, në përputhje me vendimin e Gjykatës.
“BE u bën thirrje të gjithë liderëve politikë që të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe ta shprehin mospajtimin e tyre ekskluzivisht në mënyrë paqësore dhe demokratike”, thuhet në deklaratë.
Gjykata Kushtetuese dje publikoi vendimin e marrë lidhur me dekretin e presidentit Hashim Thaçi për dekretimin e Avdullah Hoti si kryeministër të Kosovës, njoftojnë mediat kosovare, përcjell albinfo.ch.
Ky vendim u prit mjaft mirë nga LDK dhe partitë, të cilat pritet të jenë pjesë e këtij koalicioni qeverisës, por u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila në shumë raste deklaroi se po shqyrtojnë të gjitha opsionet e kundërshtimi të vendimit të Kushtetueses.