Ashtu siç mund të vlerësohej duke parë trendin në fillim të votimit, kanë dalë edhe rezultatet në raundin e dytë të zgjedhjeve për Senatin e Zvicrës. Në kantonin Solothurn ka fituar me epërsi të madhe në vota përfaqësuesi i SP/PS, Roberto Zanetto kundër atij të SVP/UDC-së, Walter Wobmann. Zanetti ka grumbulluar 47’753 vota ndërsa Wobman 26214.
Epërsi të dukshme ka siguruar edhe kandidati i SP-së në kantonin e St. Gallenit, Paul Rechtsteiner. Ai ka fituar me 70.250 vota kundrejt 49.662 votave të sfiduesit të tij nga SVP, Thomas Müller.
Rechtsteiner, që është dhe njeriu numër një i sindikatave zvicerane, me këtë fitore e siguron vendin e deputetit me «stazhin» më të gjatë në Parlament, ku ai është i pranishëm që nga viti 1986.
Në Kantonin e Lucernit kanë ruajtur vendet e tyre dy partitë e deritashme: CVP me Konrad Graber (që ka qenë edhe deri tash) dhe FDP me Damian Müller (i zgjedhur rishtas). Kandidatja nga SP Prisca Birrer-Heimo nuk ka pasur shanse ashtu si dhe ajo nga SVP Yvette Estermann.
Marrë në përgjithësi, zgjedhjet për Dhomën e Kantoneve kësaj here kanë qenë më të suksesshme për SP-në dhe më pak të suksesshme për SVP-në. Kështu SP me 12 veta në këtë dhomë ka arritur numrin më të madh të saj deri tash.