Dy shtetas shqiptarë janë zbuluar nga policia e Shqipërisë, derisa po mundoheshin që nëpërmjet detit me një gomone ajri, të transportonin në Itali një sasi prej 808 kilogramësh drogë të llojit kanabis-sativa. Njëri prej tyre u zu në Radhimë, ndërsa tjetri i njohur për policinë arriti të arratisej.
Shtetasi shqiptar i arrestuar është i moshës 48 vjeç, ndërsa bashkëpunëtori i tij i arratisur është i moshës 42 vjeç.
Droga po transportohej në një furgon drejt detit, ndërsa gomonia ishte gati për ta transportuar atë në Itali. Brenda mjetit lundrues janë konstatuar 5 bidonë me karburant, që dëshmon se plani ishte i gatshëm për transport deri në Itali, raporton shekulli.
Nga kontrolli në afërsi të mjetit lundrues, pranë një restoranti u gjetën 7 çanta të hedhura në bregun e detit, brenda të cilave kishte lëndë narkotike kanabis-sativa. Droga ishte e ndarë në 40 pako të mbështjella me letër plastike të tejdukshme. Kjo drogë prodhohet në Shqipëri.