Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi sot Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, duke i hapur rrugë marrëveshjes përfundimtare me BE-në më 27 tetor në Strasburg. MSA, është marrëveshja më e rëndësishme deri më tani ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
MSA parasheh themelimin e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimin Evropian dhe paraqet hapin e parë formal drejt anëtarësimit të plotë në BE.
“Miratimi i sotëm i MSA-së nga Këshilli i BE është moment historik për Kosovën, dhe hap faqen e re drejt qëllimit përfundimtar të anëtarësimit të Kosovës në BE. Të gjitha institucionet kanë punuar jashtëzakonisht shumë për të ardhur në ditën e sotme”deklaroi Çollaku me rastin e miratimit të MSA-së.
Procesi negociator për MSA ka filluar në vitin 2013, ndërsa MSA përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle.
Ministria për Integrim Evropian ka bërë të gjitha përgatitjet ligjore për nënshkrimin e MSA-së dhe procedimin e mëtutjeshëm për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mirëpritur vendimin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe BE-së. “Kemi rrugë të gjatë para vetes, por kjo rrugë tashmë është e qartë dhe e pakthyeshme”, ka thënë presidentja.