Taulant Xhaka duhet të ketë kujdes të mos bjerë në provokime të askujt gjatë ndeshjes, ndryshe do të mbetet shumë gjatë larg fushës së gjelbër në kampionatin zviceran.
Mesfushori i Bazelit është suspenduar për katër ndeshje nga Federata Zvicerane e Futbollit pasi humbi kontrollin ndaj lojtarit Renato Steffen të Young Boys në përfundim të ndeshjes.
Pas shkëmbimit të fjalëve mes dy futbollistëve, Xhaka e goditi kundërshtarin me shuplakë duke shkaktuar tension në fushë në mes të lojtarëve të të dyja skuadrave, dhe menjëherë arbitri e ndëshkoi atë me karton të kuq.
Për këtë veprim, Federata zvicerane i jep Xhakës një shuplakë të rëndë duke e penalizuar atë me tri ndeshje mos lojë. Dënimit i shtohet skualifikimi edhe për një tjetër lojë, pasi më parë gjatë ndeshjes, futbollisti i përfaqësueses shqiptare ishte ndëshkuar me karton të verdhë që ishte i katërti në katër ndeshjet e fundit.
Megjithëse Xhaka ishte provokuar nga futbollisti i Young Boys, Komisioni Disiplinor nuk e mori parasysh fare këtë gjë.
Pritet që Bazel të apelojë uljen e dënimit, pasi mesfushori është një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Ndeshja mes Young Boys të Bernës dhe Bazelit e zhvilluar të mërkurën në mbrëmje përfundoi me rezultat 4-3.