Autoritetet në Geneva kanë njoftuar masa të shtuara sigurie në prag të samitit të G7, i cili do të mbahet nga 15 deri më 17 qershor në Evian të Francës, rreth 45 kilometra larg qytetit zviceran, përcjell albinfo.ch.
Sipas autoriteteve lokale, vendimi vjen si pasojë e paralajmërimeve për protesta dhe demonstrata nga aktivistë francezë në Gjenevë gjatë periudhës së samitit.
Masat e sigurisë do të jenë në fuqi nga 12 deri më 18 qershor dhe përfshijnë mbylljen e rreth 30 pikave të vogla kufitare në zonën përreth.
Gjatë kësaj periudhe, kalimet mes Evianit dhe Gjenevës do të kufizohen vetëm në disa pika kryesore si Anières, Moillesulaz, Thônex-Vallard, Bardonnex, Perly, Meyrin dhe Ferney-Voltaire, ku kontrollet e automjeteve do të jenë më të rrepta.
Sipas Carole-Anne Kast, përgjegjëse për sigurinë në Gjenevë, priten “vonesa të konsiderueshme në këto pika kufitare” për shkak të kontrolleve të shtuara dhe fluksit të lëvizjes gjatë samitit./Albinfo.ch