Policia në Cyrih nuk e publikon në mënyrë të rregullt kombësinë e personave të dyshuar për vepra penale, edhe pse që nga viti 2021 ekziston një detyrim ligjor për ta bërë këtë, përveç rasteve të rralla kur duhet të mbrohet privatësia e individit, përcjell albinfo.ch.
Sipas rregullave në fuqi në kantonin e Cyrih, policia duhet të bëjë të ditur edhe shtetësinë e të dyshuarve në komunikimet zyrtare për media. Megjithatë, kjo praktikë nuk zbatohet gjithmonë në mënyrë të njëjtë, gjë që ka nxitur një platformë zvicerane të lajmeve të hetojë arsyet e kësaj mospërputhjeje.
Zëdhënësi i policisë kantonale, Kenneth Jones, shpjegoi se mënyra e publikimit të këtyre të dhënave varet nga natyra e rastit.
“Në rastet penale zakonisht përmendet kombësia e personave të përfshirë. Ndërsa në shkeljet e trafikut kjo bëhet vetëm kur bëhet fjalë për shkelje të rënda ose kur ekziston interes i madh publik, për shembull në rastet e tejkalimit të shpejtësisë,” tha ai.
Kjo qasje selektive ka hapur debat mbi transparencën dhe mënyrën se si autoritetet komunikojnë informacionin lidhur me rastet kriminale në Zvicër./Albinfo.ch