Britania dhe France do të organizojnë sot një takim me rreth 40 ministra të Mbrojtjes, ku do të diskutohen planet për mbrojtjen e anijeve tregtare në Strait of Hormuz, përcjell albinfo.ch.
Sipas raportimeve, partnerët e koalicionit pritet të paraqesin kontributet ushtarake që mund të ofrojnë për sigurinë në këtë korridor strategjik detar, pasi të ndërpriten armiqësitë në rajon.
Takimi do të bashkëkryesohet nga ministri britanik i Mbrojtjes John Healey dhe homologja e tij franceze Catherine Vautrin.
Megjithatë, iniciativa ka hasur në kritika nga zyrtarë amerikanë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth i ka cilësuar përpjekjet si “budallallëqe”, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio ka vënë në dyshim kohën e organizimit të takimit, duke thënë se “nuk ka kuptim”.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar tashmë vendosjen e shkatërruesit të saj detar HMS Dragon në rajon, në kuadër të përpjekjeve për të rritur sigurinë në këtë zonë të rëndësishme për tregtinë ndërkombëtare dhe furnizimin global me energji./Albinfo.ch