Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa mori pjesë mbrëmë në ceremoninë e International Booker Prize Awards, ku ndau mendime mbi letërsinë ndërkombëtare, udhëtimet dhe rëndësinë e të folurit të disa gjuhëve, transmeton albinfo.ch.
Gjatë fjalës së saj, ajo theksoi se librat janë një nga mënyrat më të fuqishme për të kuptuar perspektivat e të tjerëve, ndërsa letërsia e përkthyer e pasuron edhe më shumë këtë përvojë.
“Nuk ka vërtet asgjë si një libër për të kuptuar këndvështrimin e të tjerëve, ndërsa letërsia e përkthyer e çon këtë përvojë edhe më tej”, u shpreh Dua Lipa.
International Booker Prize konsiderohet një nga çmimet më prestigjioze letrare në botë për letërsinë e përkthyer, duke vlerësuar jo vetëm autorët, por edhe përkthyesit, të cilët luajnë një rol kyç në sjelljen e veprave letrare nga një kulturë në tjetrën.
Ky çmim promovon idenë se letërsia shërben si një urë lidhëse mes kombeve dhe kulturave, duke u dhënë lexuesve mundësinë të shohin botën përmes syve të një tjetri./Albinfo.ch