Në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Suedi është mbajtur promovimi i librit të autorit suedez Sven Aurén, me titull “Shqipëria, Orienti i Europës”, i përkthyer në gjuhën shqipe nga Adil Biçaku, transmeton albinfo.ch.
Ngjarja u zhvillua në praninë e shumë dashamirësve të librit dhe kulturës shqiptare. Pas përshëndetjes së të pranishmëve nga i Ngarkuari me Punë Eno Çollaku, moderatori i panelit, Burim Breznica, prezantoi pjesë nga libri dhe mbresat që autori Aurén ka pasur për shqiptarët.
Në vazhdim, Silvana Begaj dhe Elsa Alliu ndanë pikëpamjet e tyre mbi përmbajtjen dhe rëndësinë e librit, ndërsa përkthyesi Adil Biçaku rrëfeu përvojën dhe sfidat e përkthimit të kësaj vepre në gjuhën shqipe.
Në fund të promovimit, Shuquri Sejdijaj prezantoi referenca të kohës dhe materiale nga shtypi suedez, të cilat lidhen me librin e Aurén dhe perceptimin e Shqipërisë në atë periudhë.
Pas prezantimit, mbrëmja u përmbyll me bashkëbisedime miqësore mes pjesëmarrësve, nën shoqërimin e verës dhe shijeve tradicionale shqiptare. /Albinfo.ch