Dy autorë shqiptarë janë vlerësuar me çmime në edicionin e shtatë të Konkursit Ndërkombëtar të Letërsisë dhe Arteve Pamore “Çfarë nuk di Kaini”, të organizuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike në Bari, transmeton albinfo.ch.
Shkrimtari nga Kosova Lan Qyqalla fitoi Çmimin e Dytë në kategorinë e prozës së shkurtër për autorët që jetojnë jashtë Italisë, me tregimin “Femra që refuzoi të hesht”.
Ndërkohë, poeti nga Shqipëria Nikollë Loka u nderua me çmimin “Eccellenza Internazionale” në kategorinë e poezisë për autorët jashtë Italisë, për poezinë “Non osate!” (“Mos guxoni!”).
Sipas organizatorëve, veprat janë vlerësuar në mënyrë anonime, vetëm mbi bazën e titullit dhe përmbajtjes, duke garantuar një proces të drejtë dhe profesional të vlerësimit. Ky sukses konsiderohet një tjetër dëshmi e prezencës së vazhdueshme të letërsisë shqiptare në arenën ndërkombëtare. /Albinfo.ch

